Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj zhvilloi sot një vizitë në bashkinë Vau i Dejës me ftesë të kryetarit të bashkisë Kristian Shkreli.
Presidenti Begaj zhvilloi takime me autoritetet lokale dhe sipërmarrës të zonës me të cilët bisedoi për projektet dhe zhvillimin që po i jep kësaj zone investimi në ngritjen e fermave blegtorale, agroturizmin dhe artizanatin.
Presidenti vlerësoi rikthimin nga emigracioni të banorëve të kësaj zone dhe investimin e kursimeve të tyre për hapjen e bizneseve që ndikojnë në rritjen e mirëqëniez ekonomike në këtë bashki.
Presidenti Begaj vizitoi fermën blegtorale të familjes Gjondrekaj, në Bushat, e cila me investimin e kursimeve nga emigracioni dhe me mbështetjen e programit “IPARD II” arrin të furnizojë konsumatorët me produkte me cilësi të lartë falë teknologjisë së aplikuar.
Gjatë vizitës në një nga punishtet artizanale të hapura në Vaun e Dejës, Presidenti Begaj u njoh me iniciativën e ndërmarrë para 10 vitesh nga endësja Meliha Zyberi e cila sot ka punësuar shumë gra të zonës dhe është një ndër zonjat që punon për ta përcjellë traditën etnokulturore te brezi i ri.
“Gardenland Agroturizëm Nana e Madhe”, ishte ndalesa tjetër e Presidentit Begaj në Bashkinë e Vaut të Dejës, i cili nga një restorant i vogël është shndërruar në një kompleks turistik i kompletuar me ekonomi ndihmëse ku përfshihen sera dhe mbarështimi i shpendëve shtëpiake.