Presidenti i Republikës, Ilir Meta Meta dekoroi basketbollistët e shquar shqiptarë Luan Shatku dhe Agim Lahi. Meta vlerësoi me anë të një ceremonie të veçantë të mbajtur në Kopshtin e Gjelbër të Institucionit dy basketbollistë të shquar shqiptarë.
Presidenti Meta dekoroi Luan Shatkun (pas vdékjès) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin, përkushtimin dhe veprimtarinë e suksesshme, si lojtar basketbolli i skuadrave ‘Vllaznia’, ‘Partizani’ dhe Ekipit Kombëtar. I dalluar për lojën cilësore si sportist i niveleve të larta dhe i shquar në karrierën e tij si pedagog matematike, burim frymëzimi për të gjithë brezat e rinj.”
Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës vlerësoi zotin Agim Lahi, me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit të basketbollit, si titullar i ekipeve ’17 Nëntori’,‘Vllaznia’, ‘Studenti’ dhe Ekipit Kombëtar. Shembull i harmonisë të një sportisti të shquar dhe intelektuali të dalluar”.
POSTIMI I PRESIDENTIT META NE FACEBOOK
Përherë nder dhe kënaqësi të vlerësoj personalitete të shquara të cilët me punën, talentin, përkushtimin dhe karrierën e suksesshme të tyre kanë ngritur lart vlerat tona kombëtare dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin dhe në shoqërinë shqiptare, duke u kthyer në burim frymëzimi për brezat e rinj.
Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e basketbollit shqiptar, duke përfaqësuar denjësisht fanelat e ekipeve të tyre dhe flamurin kuq e zi në arenat ndërkombëtare, dekorova dy sportistë të mëdhenj, intelektualë të dalluar e qytetarë shembullorë, Luan Shatku dhe Agim Lahi.
Luan Shatku dhe Agim Lahi përfaqësojnë dy personalitete të shquara, jo vetëm në fushën e sportit por edhe dy pedagogë të nderuar me kontribute të shkëlqyera intelektuale.
Mirënjohje për gjithçka i kanë dhënë sportit dhe shoqërisë shqiptare, si dy modele të shkëlqyera të profesionalizmit, kulturës dhe angazhimit qytetar. ?⛹️??. /ShkodraWeb Media/