Presidenti i vendit, Ilir Meta ka marrë pjesë në meshën e mbajtur në kishën katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në New York. Në prani të famulltarit Dom Pjetër Popaj, klerikëve e besimtarëve të shumtë, presidenti Meta përshëndeti bashkatdhetarët e shumtë. Para tyre Meta mbajti një fjalë të shkurtër ku edhe shprehi mirënjohjen e tij për të gjithë shqiptarët në Amerikë që kanë ruajtur identitetin kombëtar.
“Mirënjohje për gjithçka që shqiptarët në Amerikë kanë bërë në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme që ju bëni duke i bashkuar të gjithë shqiptarët në SHBA. Të forcojmë identitetin kombëtar, bashkëpunimin e tolerancën ndaj njëri-tjetrit. Bashkëpunim për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë. Nder dhe privilegj të takoja në Vatikan, Atin e Shenjtë Papa Françesku. Kënaqësi e jashtëzakonshme, për të dëgjuar lutjet e bekimet e tij për kombin tonë. Porosia e Atit të Shenjtë, për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare. Porosia e Papës, të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës. Bekimet e lutjet e tij për kombin tonë, të na japin sa më shumë forcë, dashuri e bashkëpunim me njëri-tjetrin.”, tha Meta.
Sa i përket vitit të heroit kombëtar, Meta u shpreh se falë kësaj figure ekzistojmë si komb.
“Ky është viti i Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe falë kësaj figure ne ekzistojmë si komb. Vepra e Skënderbeut e jashtëzakonshme, na mbrojti nga asimilimi e forcoi identitetin tonë evropian.”, shtoi presidenti Ilir Meta.