Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar heqjen e mandatit për dy deputetë në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Kërkesa ëshë bërë për deputetin e PDIU, Aqif Rakipi, dhe atë të LSI, Gledion Rahovica.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, “deputeti i PDIU për qarkun e Elbasanit, Aqif Rakipi, dhe ai i LSI për Qarkun e Beratit, Gledion Rahovica, preken nga ligji i Dekriminalizimit. Dy deputetët nuk kishin deklaruar ndalimin nga policia në Itali”.
Kërksa e firmosur nga Rovena Gashi, shefja e sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Vendimi i Prokurorisë ka ardhur pas kërkesës së mëparshme të KQZ për verifikimin e rasteve që këtyre deputetëve. Ndërkaq, KQZ ka kërkuar verifikim edhe për Mhill Fufin, ish-deputet i PD, Omer Mamo, ish-deputet i PDIU, dhe kryetarin e bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri.
Në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme për KQZ thuhet se ish-deputeti i PD, Mhill Fufi, dhe ai i PDIU Omer Mamo, nuk rezultojnë me shkelje.
Po kështu, nuk figuron në shkelje as kryetari i bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri.