Ishte e parashikueshme dhe në fakt kështu ndodhi. Jemi në një vit elektoral dhe qeveria duhet “të zgjidhë qesen”, sidomos në një zonë ku investimet thuajse kanë munguar totalisht prej 7 vitesh. 350 milion lekë të reja ose 3.5 miliardë të vjetra, kanë një impakt jo të vogël mediatik. Nuk është aspak çudi që të ketë qenë kjo logjika e përdorut edhe për hapjen e tenderit me objekt: “Ndërhyrje e integruar në përmirësimin e aksesit, sherbimeve dhe atraksionit turistik në zonën e Alpeve Shqiptare, Bashkia Shkodër.
Tenderi është hapur para 24 orëve dhe është publikuar në faqen e APP-së në orën 12.00 të datës 12 tetor 2020. Për një muaj, të gjithë të interesuar kanë mundësi të paraqesin ofertën e tyre, bazuar në projektin e përgatitur. Si nënobjekt i tendetit, është edhe rehabilitimi segmentit rrugor Theth- Ndërlysaj.
Në qendër të projektit është rikualifikimi urban i fshatit Theth dhe Kroni i Bogës. Parashikohet ndërhyrje e gjithanshme, me vepra arti deri edhe me parkingje. Në prezantimin që i bëhet projektit, lexohet:
“Qëllimi kryesor i projektit është rikualifikimi urban i qëndrës së Fshatit Theth. Projekti ka për qëllim të rikuperojë mundësitë dhe të zhvillojë jetën e banorëve, gjithashtu edhe për të menaxhuar fluksin e vizitorëve gjatë sezonit turistik.
Ndërhyrjet e rikualifikimit, përmës peisazhit, dizajnit arkitektonik duhet të çmojnë prosperitetin e jetesës në një bllok të vogël me vlerat e së shkuarës dhe të plotësojë njëkohësisht standartet europiane në përputhje me vendndodhjen.
Thethi mbetet i izoluar. Zona është e aksesueshme nga një rrugë e pashtruar 16km e gjatë, prej fshatit Bogë, e cila është e pakalueshme gjatë muajve të dimrit dhe në përgjithësi jo e përshtatshme në çdo periudhë të vitit për të gjitha llojet e automjeteve.
Edhe pse ligji i Kanunit mbetej në fuqi në këtë pjesë të Shqipërisë, Thethi nuk ka vuajtur nga fenomeni i rishfaqur i gjakmarrjes pas periudhës së komunizmit. Megjithatë në Theth ndodhet një Kullë Ngujimi, ndër të paktat të mbetura, një formë mbrotjeje e familjeve që ishin “në gjak”.
Largimi i popullsisëështë një sfidë prej shumë kohësh për komunitetin. Popullsia është reduktuar shumë dekadat e fundit dhe shumica e tyre qëndrojnë në Theth vetëm gjatë muajve të verës.
Megjithatë, komuniteti ka një shkollë 9-vjeçare dhe së fundmi janë bërë përpjekje për të stimuluar turizmin. Shumë familje lokale ofrojnë ambientet e tyre për fjetje, për ata që vijnë në Theth për të eksploruar Parkun Nacional ose admiruar vetëm natyrën.
Përveç Kullës së Ngujimit, pika të tjera interesi janë dhe ujëvarat, një mulli uji (i cili përdoret akoma nga banorët për të bluar misrin) dhe një muze etnografik modest. Janë dy projekte që po zhvillohen në afërsi, me qëllim për të përmirësuar dhe ndihmuar infrastrukturën turistike në zonë.
Balkans Peace Park Project po punon për krijimin e një parku që shtrihet jashtë kufijve të Shqipërisë, në Mal të Zi dhe Kosovë dhe ka nxitur vitet e fundit zhvillimin e një turizmi ekologjik dhe të qëndrueshëm në Theth dhe më gjerë (si psh duke financuar shënjimin e rrugëve të kalimit).
Project Albanian Challenge ka ndërtuar një urë të re, e cila lidh Thethin me ujëvarat e Grunasit mbi lumin Nanrreth. Projekti ka përmirësuar shënjimin e shtigjeve për në Curraj i Epërm dhe ka shënjuar rreth 80km shtigje të reja pranë luginës duke krijuar një hartë të levizjës së lirë në zonë.”.
Sipas projektit, punimet pritet të përfundojnë në harkun e një viti nga nisja e tij. Fondi Shqiptar i Zhvillimit është autoriteti kontraktues për realizimin e këtij projekti. /ShkodraWeb Media/