Zbulohet një skelet njeriu në tunelet e Qafë Shtamës në Mat. Eshtrat janë zbuluar ditën e sotme gjatë gërmimeve nga një ekip i Forcave të Armatosura, për pastrimin e tuneleve nga armatimet e mbetura aty. Prej një viti, forcat ‘Xhenio’ e kanë kosideruar si hotspot zonën e Selitës dhe kërkojnë aty për të asgjësuar armë të vjetra, por sot ata kanë gjetur eshtrat që shihni edhe në foto.
Dyshohet se eshtrat i përkasin një prej 23 personave që humbën jetën në 29 prill të vitit 1997, duke nxjerrë armë, ndërsa tuneli shpërtheu nga municionet. Tragjedia shkaktoi tronditje të thellë tek të gjithë banorët e Matit dhe Shqipërisë. Pas tragjedisë një pjesë e tunelit u shemb, duke pamundësuar nxjerrjen e tetë trupave të pajetë të cilët mbetën mes rrënojave. Tetë personat që humbën jetën nuk kanë edhe sot e kësaj dite një varr. Tuneli u mbyll nga ushtria dhe qëndroi i tillë për 21 vjet me radhë. Ndërsa prej një viti forcat xhenio po punojnë në tunelin e Qafë Shtamës për pastrimin e tij.
Drejt Qafë Shtamës janë nisur një grup ekspertësh nga Prokuroria e Dibrës për këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që për identifikimin e eshtrave do duhen analizat e ADN-së. Viktimat e kësaj tragjedie ishin të gjithë banorë të fshatit Selitë të rrethit të Matit.
Gjurmët e “Gërdecit” të 1997-ës ndihen edhe sot e kësaj dite. Predha dhe armatime të tjera të pashpërthyera janë të shpërndara në të gjithë zonën duke u bërë një rrezik i vazhdueshëm për banorët.
Viktimat e tragjedisë së Qafë-Shtamës:
Sherif Dishani 35 vjeç
Majlinda Dishani 20 vjeç
Eglantina Kurti 13 vjeç
Esat Haxhia 26 vjet
Ramis Dishani 17 vjeç
Artan Dishani 17 vjeç
Nurie Dishani 12 vjeç
Deshira Dishani 14 vjeç
Rabije Dishani 14 vjeç
Myrvete Dishani 10 vjeç
Vera Uka 16 vjeç
Agim Barçi 30 vjeç
Zylfie Dishani 25 vjeç
Allaman Kurti 35 vjeç
Ruzhdie Kurti 11 vjeç
Edmond Dishani 16 vjeç
Lulezime Dishani 12 vjeç
Fitim Dishani 22 vjeç
Trendafile Dishani 12 vjeç
Fatime Uka 43 vjeç
Ferit Rama 34 vjeç /Shqiptarja/