Reshjet e ditëve të fundit, kanë rritur ndjeshëm prurjet në hidrocentralet e kaskadës së Lumit Drin. Reshjet e shumta por edhe prurjet anësore të cilat kanë rritur nivelin në basene kanë detyruar drejtuesit e hidrocentraleve në Koman dhe Vau Dejës që të hapin portat.
Burime pranë këtyre dy hidrocentraleve, bëjnë me dije se është vendosur hapja e portave të hidrocentraleve dhe ka nisur shkarkimi.
Sipas po të njëjtave burime në Koman, duke parë prurjet në basen por edhe rritjen e nivelit të basenit të hidrocentralit, është vendosur që të nisin shkarkimet të cilat kanë nisur që mbrëmë me 1500 m3 ujë në sekondë ndërkohe që nuk dihet nëse këto shkarkime do të qëndrojnë gjatë kjo edhe ne varësi të prurjeve ne hidrocentral.
E njëjta situatë është regjistruar edhe në Hec Vau Dejës. Edhe pse në sasi më të vogël, në Vaun e Dejes, shkarkimet kanë nisur mëngjesin e së dielës me 500m3 ujë në sekondë, ndërkohë që këto shkarkime po kontrollohen me qëllim që të mos shkaktojnë probleme në zonën e Nënshkodrës e cila rrezikun kryesor nga përmbytjet e ka nga shkarkimet e hidrocentraleve.