Pas ditëve të nxehta të një vere që do të mbahet mend për temperaturat e larta, sikur është bërë traditë që në Shkodër të rifillojë jeta e pasur artistike. Themi se në një farë mënyre është bërë traditë, për arsye se vitet e fundit shtatori sjell veprimtari të ndryshme artistike, kulturore që natyrisht mirëpriten gjithmonë nga spektatori shkodran.
Kështu ndodhi edhe këtë shtator me “Mjeshtrin e Madh” të humorit Sandër Ruçi, i cili me një talent të rrallë dhe me një performancë gjithnjë e më të ndritur, këtë verë i thirri nga larg Shkodrës së tij “Aaaa kush asht në derë”. Kjo thirrje që tregon dashurinë e madhe të tij për qytetine lindjes ishte jo vetëm titulli i spektaklit, por edhe lajtmotivi i tij.
Edhe pse jeton prej disa vitesh në Jacksonville Florida të SHBA, Sander Ruçi, anjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet me qytetin e tij të lindjes.
Ai u rikthye në Shkodër jo vetëm për ta vizituar e për t’u çmallur me të afërmit, me shoqërinë e me kolegët, por edhe për të treguar se talenti i tij nuk ka shterruar, përkundrazi me një buqetë skeçesh, parodish, monologjesh humoristike dhe satirike u ngjit në skenën e Teatrit “Migjeni”, duke sjellë një performancë që edhe nga ana regjisoriale kishte risi.
Shfaqja kishte nivel të lartë artistik dhe u përshkua nga sinqeriteti dhe dashuria e madhe për djepin e kulturës ku u përkund edhe Sandri, i cili krijoi një situatë shumë të këndëshme humori në Teatrin “Migjeni”.
Në këtë tempull të artit shkodran, Sandër Ruçi dhuroi recitalin e tij të 12-të, duke siguruar kështu për dy netë me radhë një sukses të jashtëzakonshëm.
Spektaklin e pasuruan edhe këngët, si dhe muzika e zgjedhur me pjesëmarrjen e këngëtarëve: “Mjeshtrit i Madh” Bujar Qamili, Adnan Bala, Fatjeta Barbullushi, Orjeta Kelaj, Ketlin Pjalmi, Klodiana Vata, Gjeni Mjeda, etj, duke bërë që spektatori shkodranë pjesën më të madhe të shfaqjes ta përcillte në këmbë me duartrokitje.
Një tjetër kulm i kësaj shfaqje ishte edhe pjesëmarrja e humoristit shkodran Nexho Shabani, mjaft i dashur për banorët e këtij qyteti dhe më gjërë, si dhe humoristi i njohur Vebi Kurtaj.
Një freski dhe profesionalizëm në këtë spektakël dhuroi edhe partnerja e tij shumë e talentuar Ketlin Pjalmi.
Sandër Ruçi kishte kohë që përgatitej për t’i dhuruar qytetit të vet, artëdashësve të mrekullueshëm shkodranë këtë show dhe mund të themi pa ndrojtje që ishte një arritje në rradhë të parë personale, pasi ai është autori i materialit letrar, regjisori dhe aktori brilant që natyrisht ishte edhe boshti i shfaqjes.
Në këtë shfaqje, e ideuar dhe e drejtuar nga vetë ai, për rreth dy orë spektakël më tepër dominoi interpretimi i tij në skenë, duke përformuar nëpërmjet monologjeve kushtuar jetës së komunitetit në qytetin e tij të Shkodrës, të gërshëtuara edhe me ato të diasporës, duke mos munguar si zakonisht edhe thumbimet humoristike të politikës.
Sandër Ruçi është një aktor dhe krijues që me karakterin e tij, zhdërvjellësinë, sigurinë aktoriale e mbi të gjitha talentin e tij ka një marrëdhënie komunikimi të habitshme dhe të pakrahasueshme me një tjetër, me publikun. Ai i bën për vete, i elektrizon dhe si të thuash, entuziazmon, e çon në këmbë edhe spektatorin më indiferent.
Për Sandër Ruçin, spektakli “Aaaa kush asht në derë”, është i 12-ti në karriren e tij artistike, pa lënë mënjanë me dhjetra, qindra, pse jo edhe mijra, aktivizime dhe role që ai ka pasur si pjesë e shfaqjeve dhe varieteve të organizuara nga teatri “Migjeni” dhe trupa të tjera artistike.
Aktori shkodran Sandër Ruçi i ardhur nga SHBA u takua me të dashurit e tij, miq, të afërm, artëdashes e simpatizantë, vëllezër shkodranë, me të cilët ndjehej shumë i nderuar, i emocionuar nga një pritje që iu bë në qytetin e tij, në qytetin e zemrës, i cili i ngashëroi çdo sekondë gjithë qënien e tij që shprehnin, duke u takuar me të gjitha kategoritë e njerëzve. Ai u shpreh se, këto ditë magjike që po kalon mes tyre, po më zgjasin jetën, ndaj i falenderoi me shumë përulje. Këtë respekt Sandri ia kthei me kënaqësi në këto dy netë të premierës.
Me këtë rast edhe ne i urojmë “Mjeshtrit të Madh” Sandër Ruçi suksese në karrierën e tij artistike, duke e falenderuar për punën e palodhur dhe përkushtimin e madh që tregon herë pas here për publikun e mrekullueshëm shkodran, duke dhuruar humor brilant e bashkëkohor me nivel të lartë artistik. /Nga Ramazan ÇEKA/