Natën e kaluar qyteti i Shkodrës është përfshirë nga një studhi e madhe, në formën e ciklonit. Ka qenë një natë e vështirë, e cila ka lënë edhe pasoja që shihen në rrugët e qytetit mëngjesin e sotëm (të shtunën). Fotot e publikuara nga gazetari Musa Kurtulaj, tregojnë gjendjen në Unazën Përendimore të Shkodrës.
Shihen dhjetra pemë dekorative të thyera apo të rrëzuara përtokë, pllaka të trotuareve të zhvendosura nga rrënjët e pemëve. Po ashtu, janë dëmtuar edhe mjaft mjete motorike të parkuara në anë të rrugës, poshtë pemëve dekorative. Mëngjesin e sotëm, punonjës të Bashkisë Shkodër kanë nisur punën për heqjen e pemëve të dëmtuara, të cilat në disa raste kanë penguar edhe lëvizjen e mjeteve në këtë aks. 100 punonjës të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime dhe Sherbimeve në Bashkinë Shkodër kanë qënë në terren për menaxhimin e situatës.
Fatmirësisht deri në këto momente, nuk ka informacion për dëmtime në njerëz apo në shtëpi banimi. Ndërkohë, dëmtime të pemëve dekorative ka patur edhe në rrugë të tjera të qytetit, teksa punonjës të Bashkisë Shkodër po vijojnë nga orët e para të mëngjesit punën për rikthimin në normalitet të gjendjes. /ShkodraWeb Media/