Ditën e sotme në ambientet e “National Sport Park”, në Tiranë u zhvilluan ndeshjet finale të Kampionatit Evropian U-16, “Tennis Europe”, ku spikati përballja e femrave mes talentes nga Shkodra, Gresi Bajrit dhe italianes Giorgia Patti, ndeshje kjo e cila përfundoi në rezultatin 2-1 me sete, në favor të Bajrit.
Spektaklin e dhuruar nga tenistja, që përfaqësonte vendin tonë e shijuan dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli, zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, z. Endrit Hoxha, Presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit, z. Ferdinand Sulo dhe Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, z. Gerti Shima.Gjatë këtij turneu pati dhe një risi, ku e gjithë ndeshja u transmetua live, në të gjitha rrjetet sociale, të KOKSH.
Përveç këtij eventi, në të tëra faqet e KOKSH bëhen në mënyrë të vazhdueshme përditësime, të eventeve të ndryshme sportive nga çdo cep i Shqipërisë.Pjesa më e madhe e ndeshjes u dominua nga e reja shkodrane, me setin e parë që përfundoi 6 me 1 në favor të Bajrit. Në setin e dytë, përballja mori një rrjedhë tjetër me italianen, duke arritur të fitonte me rezultatin 6-2. Seti i tretë dhe njëkohësisht ai finali “foli” sërish shqip, me të talentuarën Gresi Bajri, e cila i ktheu “borxhin” kundërshtares, duke e mundur me rezultatin 6-2, rezultat ky i cili i dha fitoren e turnet.
Në një prononcim për mediat pas ndeshjes, Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, tregoi se edhe në sportin e tenisit ka dhe do të ketë investime dhe zhvillime të vazhdueshme. Presidenti Ylli foli dhe për pritshmëritë që ka për Kampionatin e Peshëngritjes për të Rritur që do të startojë në datën 26 maj dhe do të zhvillohet në qytetin e Tiranës, ku sportistët tanë pritet të marrin mbi 7 medalje.Për mediat u prononcua dhe zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, z. Endrit Hoxha, ku foli për triumfin bindës, së talentes Gresi Bajri në finalen e këtij kompeticioni.
Në përfundim të eventit ishin Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli dhe zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, z. Endrit Hoxha ata që dhuruan dhe Kupat për fituesit dhe vendet e dyta.