“Le Petit Parisien” ka botuar, të shtunën e 16 gushtit 1913, në faqen n°3, një shkrim mbi reagimin e fiseve të Malësisë kundër kufirit me Malin e Zi të vendosur në Konferencën e ambasadorëve në Londër.
Rrëfimi i plotë i gazetës franceze
“Një kërcënim shqiptar
Vjenë, 15 gusht.
Korrespondenca shqiptare shkruan se në Shkodër krerët e fiseve Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati dhe Shkreli kanë shkuar në grup pranë admiralit anglez Burney dhe i kanë thënë fjalët e mëposhtme :
“Fiset e Malësisë nuk e njohin kufirin e vendosur nga konferenca e ambasadorëve dhe nëse fuqitë e mëdha refuzojnë të dëgjojnë ankesat e paraqitura nga shqiptarët në memorandumin e tyre mbi kufirin e ri, lufta midis Malësorëve dhe Malit të Zi bëhet e pashmangshme.”
Deklarata të njëjta janë bërë në drejtim të konsujve të Austro-Hungarisë dhe Italisë.
Admirali anglez (Cecil Burney) dhe konsujt u përgjigjën se do t’i transmetonin këto deklarata qeverive të tyre.”