Besoj se e mbani mend Gicin miq, oh më falni Gjicin, që shumë i revoltuar nga deklaratat “anti- UÇK” të Veton Surroit, vendosi ti heqë titullin “Nderi i Kombit”. Ja pra ku ndodhemi sot në Kukësin e Safetit, e pikërisht në monumentin e Shote Galicës, gruas dhe luftëtares shqiptare, përpara madhështisë së të cilës, jemi të gjithë hiça.
Siç e shihni nga fotot, lapidari i Shote Galicës, jo vetëm ka mbetur pa gërma, por ai është inkorporuar madje në lokalin e “zaptuesit” të Gjicit. Nga sot e tutje, Shote Galica do të shërbejë si roje nate për lokalin dhe si recepsioniste dite për klientët e “zaptuesit” të Gjicit që lejon krime të tilla. A e di vallë Safeti cila është Shote Galica? Se si kjo luftëtare mbrojti jo vetëm trojet shqiptare, por edhe theu tabutë e kanunit përmes angazhimit të saj në luftë me burra?!
A e di vallë Safeti, se një Shotë ka Shqiptaria dhe se ajo ka ngel pa emër në lapidar e është bërë hyrje e një mejhaneje? A e di vallë Safeti, se Shote Galica jo vetëm luftoi familjarisht për trojet shqiptare, por edhe pse në skamje të plotë, u kujdes edhe për jetimët e luftëtarëve që kishin rënë në luftë? A e di vallë Safeti, se Shote Galica është gruaja që duhet nderuar mbase më shumë se çdo grua shqiptare, për trimërinë dhe vetëflijimin që ajo përfaqëson? Si ka mundësi të ndodhë diçka e tillë në 2021? Turp! /Nga Inida KREUZ e njohur edhe si Zhaku/