Mbi të tatëpjetën “thikë” që zbret në brigjet e Liqenit të Komanit në Pukë, ndodhet një prej shpellave më të vecanta në Shqipëri, për sa i përket historisë së saj. Ndonëse vetëm 40 minuta larg nga qyteti verior i Pukës, Shpella e Kaurit ishte thuajse e panjohur për banorët e zonës.
Historia e saj e çuditshme, që zë fill në kohën e pushtimit nga hordhitë e para otomane e që lidhet me fenë, bëri që askush nga banorët e fshatit Buzhalë e të fshatrave të tjerë të Komunës së Qelzës të mos flisnin për të. Madje brezat e rinj në kohën e diktaturës, nuk e dinin se ekzistonte Shpella e Kaurit.
Më të moshuarit që kishin dëgjuar për këtë shpellë, nuk guxonin të flisnin për të. Ky vendstrehim natyror e që të mahnit me misteret e saj, u “zbulua” vetëm 7 vjet më parë. Më në fund banorët e trevës thyhen “heshtjen” e misterin që mbarte kjo shpellë, duke provuar të hynin në brendësi të saj e të shuanin kuriozitetin.
Ndërsa këto vitet e fundit Shpella e “Kaurit” ka befasuar dhjetëra turistë të huaj, kryesisht amerikanë. Ajo që habit të huajt, është fakti se në këtë shpellë, shekuj më parë, banorët katolikë të zonës turreshin të fshiheshin në labirintet e saj për t’i shpëtuar ndërrimit të fesë së tyre nga turqit osmanlij. /Nga Preveza ABRASHI/