Dega e Gazetarisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ka konsoliduar tashmë një traditë të vlefshme në evidentimin e dhe përgatitjen e elementëve të gatshëm për të nisur punë në media. Madje, në jo pak raste, studentët edhe gjatë vazhdimit të cikleve të studimit, kanë mbuluar e mbulojnë si gazetarë mediat vendore e ato kombëtare.
Për përgatitjen e tyre ata janë vlerësuar edhe nga personalitete të gazetarisë shqiptare ndërsa kanë spikatur në pozicione të ndryshme edhe në gjirin e mediave të mirënjohura shqiptare e më përtej. Por tashmë, duket se ka ardhur edhe koha e vlerësimeve apo çmimeve edhe në festivale e gara të ndryshme.
Një nga pedagogët më të apasionuar dhe të përkushtuar të Degës së Gazetarisë në Shkodër, Ardi Hoti, ka bërë me dije përmes pak rreshtave në Facebook se studentët e tij kanë fituar çmimin e parë në Festivalin e Filmit.
“Studentet e Gazetarise se Universitetit “Luigj Gurakuqi “ te Shkodres vleresohen me cmimin e pare ne Festivalin e Filmit. “Rini e ikun “ u vleresua si filmi me i mire.
Falenderim per te gjithe studentet e mi qe treguan perkushtim e profesionalizem. Falenderim te vecante projektit “Pertej Gardheve”, Ambasades se Shteteve te Bashkuara, Ambasades Britanike per mundesine qe krijuan ne realizimin e filmave.”, shkruan Hoti në publikimin e tij. Me këtë rast, ShkodraWeb Media u përcjell urimet më të mira e të merituara studentëve por edhe pedagogëve të tyre, veçanërisht kolegut Ardi Hoti.