Ndërsa që shefi i qeverisë ka bërë vazhdimisht thirrje për dialog për kërkesat që studentët kanë paraqitur, këta të fundit janë shprehur se nuk kanë besim dhe duan të plotësohen fillimisht kërkesat e më tej mund të zhvillohet një dialog me tyre.
Studentët kanë njoftuar se edhe ditën e nesërme do të bojkotohet mësimi, duke vijuar kështu protestën para kryeministrisë siç kanë bërë ditët e fundit. Në një poster të shpërndarë në rrjetet sociale, thuhet:
“Nesër, 17 dhjetor protesta vazhdon në Fakultete (9-11) dhe më pas para Kryeministrisë. Në orën 9-11 organizohemi përpara fakulteteve për të ndërgjegjësuar çdonjërin nga ne mbi kauzën tonë të drejtë. Studentët të pajisur me foni do të shpalosin në detaje kërkesat e tyre specifike për arsim cilësor.
Folës të ndryshëm nga të gjitha programet e studimit dalin dhe denoncojnë me forcë problemet tona, padrejtësinë që na bëhen përditë, të cilat duhet të marrin fund. Studentët artikulojne kërkesa specifike për autoritetet drejtuese të Fakulteteve/Universiteteve.
Përfaqësues nga fakultete/Universitete të tjera përshëndesin protestën dhe prezantojnë problemet e përbashkëta”, shkruhet në njoftimin për protestën.”