Elisa Spiropali, drejtuese politike e qarkut të Shkodrës për PS- në, vijon takimet e saj me strukturat por edhe me banorët në zona të ndryshme të bashkisë Shkodër. Ndalesa e radhës, ishte Postriba.
E shoqëruar nga prefektja Angoni por edhe drejtues të PS- së Shkodër, Spiropali ka zhvilluar një takim që kujton ato të fushatave elektorale,e dhe pse mungonte deputeti Benet Beci, akoma i pashpallur zyrtarisht kandidat për bashkinë Shkodër.
“Postribë, Shkodër – Mirënjohje për mikpritjen tuaj. Kjo krahinë me histori krenare meriton më shumë. Vetëm të bashkuar, përtej çdo dallimi, mund ta ngremë Postribën dhe Shkodrën në piedestalin që meriton.”, shkruan Spiropali në një publikim në rrjetet sociale, të cilin e shoqëron edhe me foto.
Me ardhjen e Spiropalit si drejtuese politike për qarkun Shkodër, aktiviteti i PS- së është rritur ndjeshëm në të gjitha bashkitë, shenjë se kësaj here partia qeverisëse e vendit, është angazhuar më seriozisht se herët e tjera në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 maj 2023.