Ambasada amerikane në Tiranë ka zbardhur detaje nga takimi i mbajtur sot në KQZ, me kreun e këtij institucioni, Ilirjan Celibashin dhe me aktorë të tjerë politikë të mazhorancës dhe opozitës.
Në këtë takim të pranishëm ishin Damian Gjiknuri, Monika Kryemadhi dhe Jorida Tabaku. Ambasada amerikane thotë se porosia e diplomates Yuri Kim ishte se financimet e fshehta ruse janë një kërcënim serioz. Gjithashtu, në fjalën e saj, Kim ka folur dhe për kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion.
Reagimi i Ambasades Amerikane ne Tirane ne rrjetet sociale:
Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion.
Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve.