Teatri Kombëtar i Operas dhe i Baletit ka dhuruar një atmosferë fantastike në sallën e Teatrit “Migjeni”. “Të gjithë e duan Agim Krajkën” ishte spektakli që në qendër kishte krijimtarinë e mjeshtrit të madh të muzikës shqiptare. Një kompozitor i rrallë, me krijimtari në muzikën e lehtë, atë popullore, klasike, kinematografi, mori sot pritjen e merituar nga spektatori shkodran.
Salla ishte e tejmbushur, madje edhe galeria ishte plot e përplot. Gjatë gjithë shfaqjes nuk kanë munguar duatrokitjet, teksa mjeshtri Krajka e cilësoi Shkodrën “kryeqytet të Shqipërisë” për artin, kulturën, muzikën por jo vetëm. Për mëse 2 orë, në sallë u kthyen tingujt e Krajkës që kanë shoqëruar e rritur shumë breza. Përveç Ansamblit të Këngëve e Valleve, trupës së TKOB-së, ishin të ftuar edhe emra të njohur të muzikës si Eneda Tarifa, Venera Lumani, Rovena Dilo dhe Kamela Ismlamaj që interpretuan disa nga hitet e Agim Krajkës.