Nga Armand PLAKA
Prezencën e tyre në Shqipëri shumëkush e lidh a priori me vitet ’50 të shekullit të shkuar, e disa me fundin e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në shtabin e partizanëve shqiptarë, duhej të ishte instaluar edhe një oficer ndërlidhës sovjetik si i dërguar special i Moskës në kuadër të Aleancës Antifashiste.
Në një perceptim më të gjerë, prezenca e tyre më e hershme lidhet me rolin e bjellogardistëve (kundërshtarët e bolshevikëve në Rusinë postcariste) në shërbim të ish-Mbretit Zog në vitin 1924.
Ndërkaq, historiografia zyrtare e njeh prezencën e tyre qysh në maj 1913, ndërsa ata erdhën si pjesë e forcave ndërkombëtare të dislokuara në Shkodër. Si anëtarë të Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve, KNK, oficerët caristë, do të shkelnin kësisoj për herë të parë në tokën shqiptare.
Siluetat e tyre shihen qartë në njërën nga fotot që shoqëron këtë tekst, në ditët e para të instalimit të detashmenteve të huaja në Shkodër, ku ndryshe nga austro-hungarezët, anglezët, italianët dhe gjermanët, ata nuk do të kishin të drejtë të “performonin” me parada ushtarake përballë vendasve kuriozë e në dukje edhe entuziastë, të lodhur tashmë aq shumë nga vuajtjet që u sollën malazezët me topat e armët e tyre në përpjekje për të përmbushur ëndrrën e tyre shekullore. Ata do të mjaftoheshin kësisoj vetëm me prezencën fizike të një grushti oficerësh madhorë, stafi civil e diplomatësh.
Pa e ditur, ata do ta ndjenin ndoshta për herë të fundit puhizën e lehtë të brigjeve të Adriatikut, pasi vetëm një vit më vonë do të shpërthente “Lufta e Madhe”, e cila do të rezultonte me shumë pasoja për fatin e Rusisë dhe vetë njerëzimit.
Ndërsa Lufta po shënonte një katastrofë për ushtrinë cariste, Revolucioni Bolshevik i tetorit 1917, do të bënte që shumë syresh të braktisnin vendin, ose të gjenin vdekjen në luftë të hapur me komunistët.
Një tentativë e qeverisë së Nolit në vjeshtën e 1924, do të ngjallte sërish shpresën e Moskës zyrtare për të vënë këmbë në Shqipëri, por ajo do të përfundonte me ardhjen e kundërshtarëve të tyre politikë si triumfatorë në fundvitin 1924 e fillimvitin 1925, duke i dhënë një dorë të konsiderueshme përpjekjeve të rivalit më intim të Nolit, për t’u rikthyer në pushtet në bashkëpunim të ngushtë me jugosllavët.
Do të duheshin edhe disa dekada që rusët të shkelnin sërish në Shqipëri, tashmë me një rol, pushtet e prezencë shumë më domethënëse, e cila do të kulmonte me vizitën e ish-shefit të atëherëshëm të Kremlinit, Nikita Sergejeviç Hrushov në Tiranë, në vitin 1959.
Ky do të ishte paradoksalisht edhe kulmi i marrëdhënieve shqiptaro-ruse (dmth sovjetike), pasi ajo që pasoi, ishte një degradim shumë i shpejtë e radikal i marrëdhënive të tyre ndërshtetërore (perveçse partiake).
Pas viteve nëntëdhjetë, marrëdhëniet mes dy vendeve njohën një ringritje, megjithëse dinamika e tyre ka pësuar shpesh ulje-ngritje.
Nën dritën e zhvillimeve të dy dekadave të fundit, e sidomos të viteve të fundit, hija e Moskës në Shqipëri është bërë sërish temë diskutimi, e artikulimi rreth politikave të saj kundrejt Shqipërisë e shqiptarëve, njeh shpesh edhe tone të ashpra.