Historia e ndërtimit të kësaj Kishe të rëndësishme për banorët e devotshëm shkodranë, ka shumë të veçanta të saj. Vetë fjala aq e njohur në “Kisha e Madhe” siç e thërrasin ende sot të gjithë, kishte si synim të rëndësishëm që në gjirin e saj të ishin të pranishëm sa më shumë besimtarë të përkushtuar me lutje të përshpirtme.
Përurimi dhe riti i bekimit është bërë me ceremoni festive që daton me 19 mars të vitit 1923. Për herë të parë tingëllimi kumbues i kumoneve u dëgjua me 19 mars, kurse tingëllimi i fundit i tyre po me datën 19 mars, por tashmë në një epokë të errët siç ishte e mbeti ajo e sistemit ateist antifetar të rregjimit të Enver Hoxhës. Kështu në analet e errëta të historisë ka mbetur 19 marsi i vitit 1967…
Një muaj pas “fjalimit” të 6 shkurtit 1967, Enver Hoxha u shpreh hapur dhe qartë pa frikë “Të djegim me zjarr…”. Dhe me të vërtetë vetëm kështu mund të realizohej ai qëllim i diktatorit, që do të quhej “Revolucion kultural”, përmes së cilës do të kryente veprën më të shëmtuaren dhe më të ndyrën ndaj popullit të vet dhe kulturës shqiptare.
Dhe historia do të flasë, sepse është regjistruese e mirë… Pas mbylljes së kishave, për më tepër mësohet se një pjesë e tyre iu nënshtruan dinamitit, tritolit, dhe kthimin në “vatra” kulture dhe “monomente” sporti. Studiuesi Lec Zadeja shkruan: “Por pa shkue pak muej, gjoja me kërkesën e nji grupi sportistesh të rrethit, filluen punimet për kthimin e Kishës në Pallat Sporti.
Kështu në vitin 1968, krahas rrëzimit të kumbanarës, filluen në stil të gjanë punimet brenda Kishës. E këto vazhduen me ritme të shpejta për të ardhë tek viti 1969, kur do të bahej përurimi i Pallatit të Sportit, me sallë të lojnave me dorë, të ngritjes së peshave, të mundjes, tue u shfrytëzue edhe për koncerte, takime të zgjedhësve me deputetë gjatë fushave elektorale, etj.”
Tifozet shkodrane ne fakt kane perjetuar shume emocione ne kete pallat sporti, ne ndeshjet e basketbollit, volejbollit, mundjes, peshengritjes e sporteve te tjera. Sportistet po ashtu, kane kujtime shume te bukura nga ky pallat sporti.
Rikthimi
Do ishte data 7 mars 1991 kur gjithçka do te ndryshonte. Mbi ndërtesën e pallatit të sportit rreth orës 10 paradreke, disa qytetarë shkodranë vendosën me dashuni kryqin ku protagonistet kryesore jane dy ish- mundes te njohur kampione te Vllaznise, Rrok Bardeli e Agustin Mhilli. Qe prej asaj dite, pallati i sportit i Shkodres nuk ekzistonte me dhe ai u kthy ne katedrale.
Per disa vite, ekipet e lojerave me dore te Vllaznise jane stervitur dhe zhvilluar ndeshje ne aneksin e stadiumit, pikerisht prane poligonit te qitjes. Keshtu vepruan deri ne vitin 1996 kur u ndertua pallati aktual i sportit qe me vone mori emrin “Qazim Dervishi”. /ShkodraSport/