Nga Dritan XHEMALAJ
Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën”, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e tetë, me titull: “Trazirat e një kohe të vrazhdë” (Si u eliminua grupi i reformatorëve antistalinistë).
Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të.
Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, sjellin këtë dokumentar që i kushtohet ngjarjes së vitit të largët 1975-‘77, kur diktatori komunist Enver Hoxha filloi goditjen ndaj të ashtuquajturit “Grupi sabotator në Ekonomi, i cili kryesohej nga dy zëvëndëskryeministrat, Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, si dhe Kiço Ngjela e Vasil Kati, përkatësisht Ministra të Tregtisë së Brendëshme dhe të Jashtëme.
Po kështu përveç këtyre që u konsideruan “koka” e “Grupit sabotator në Ekonomi” asokohe gjithashtu u arrestuan, burgosën dhe u internuan edhe një numër jo i pakët kuadrosh, mvartës të Këllëzit, Theodhosit, Ngjelës e Katit, si Ahmet Jegeni e Andrea Manço që vdiqën në tortura gjatë hetuesisë, apo Petro Taku (këshilltar në ambasadën shqiptare në Itali), i cili iu mbijetoi torturave dhe vuajti në burgjet e regjimit komunist deri në fundin e viteve ’80-të.
Nga kjo ngjarje kanë marrë shtysën dy bashkëautorët e projektit në fjalë, Kaloçi dhe Stafa, për realizimin e dokumentarit, duke tentuar të rindërtojnë atë si nëpërmjet dëshmive të familjarëve të ish-pjestërëve të “Grupit sabotator në Ekonomi”, ashtu edhe duke iu referuar dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme.
Në këtë kuadër, gjatë gjithë dokumentarit që zgjat rreth 55 minuta, japin dëshmitë e tyre: Spartak Ngjela, Shpresa Ngjela, Arben Theodhosi, Leon Këllezi, Ylli Këllezi, Artan Gambeta, Ardian Kati, Kozara Kati, Fabian Kati, bij dhe familjarë të atyre që u konsideruan si “Koka e grupit sabotator” në Ekonomi, si dhe historiani e diplomati i karrierës, Spartak Topollaj, dhe ekonomisti i njohur, prof. dr. Lulzim Hana.
Të gjithë personazhet e sipërcituar, kanë treguar para kamerave historitë se si filloj dhe vazhdoj goditja ndaj prindërve dhe familjeve të tyre, e deri tek kalvari i gjatë dhe peripecitë për gjetjen e eshtrave të prindërve të tyre, (Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi) eshtrat e të cilëve ende nuk janë gjetur. Po kështu disa nga personat e sipërcituar, kanë dhënë opinionet e tyre para kamerave, duke analizuar ngjarje dhe fakte, se përse Enver Hoxha i goditi Këllezin, Theodhosin, Ngjelën dhe Katin?!
Të cilët ishin të vetmit nga udhëheqja e lartë të shkolluar apo diplomuar në Perëndim gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe pushtimit nazifashist të vëndit dhe që nga nëntori i vitit 1944 e deri në vitin 1975 që filloi goditja ndaj tyre, kishin drejtuar Ekonominë shqiptare, duke qenë titullarët kryesorë në Komisionin e Planit të Shtetit, Ministrinë e Industrinë dhe Minierave, Financave, Tregtisë së Brendëshme dhe të Jashtëme etj.
Sipas avokat Spartak Ngjelës, dëshmuar para kamerave, lidhur me goditjen e këtij grupi, i jati i tij, Kiço Ngjela, pak para arrestimit i ishte shprehur: “O është çmëndur Enver Hoxha, ose kjo është vepër e KGB-së sovjetike”.
Përveç dëshmive të familjarëve të Këllezit, Theodhosit, Ngjelës, Katit, Gambetës etj, dy bashkëautorët e dokumentarit, Kaloçi dhe Stafa si dhe stafi i tyre, janë mbështetur dhe kanë bërë publike edhe një numër të madh dokumentash arkivore dhe foto të rralla të panjohura më pare të nxjerra nga dosja përkatëse hetimore dhe gjyqësore që disponon Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Tiranë.