Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka pasur një takim të veçantë me kampionet e koshit shqiptar për sezonin që lamë pas. Ajo mbështet maksimalisht vajzat shkodrane që arritën të çonin në qytetin e tyre trofeun e shumëpritur.
Bën thirrje për masivizimin e lojërave me dorë si dhe thekson që do të bëjë maksimumin për të mbështetur sportin në Shkodër. Në fjalën e saj, në kanalin zyrtar, kryebashkiakja shkruan:
“Ekipi i të rejave të Vllaznisë është shpallur kampion kombëtar në basketboll për sezonin 2020- 2021. Ishte kënaqësi e veçantë ti prisja, uroja dhe falënderoja për këtë arritje, fryt i punës së përbashkët të sportisteve dhe trajnerëve të ekipit.
Sporti i basketbollit është një nga sportet më me traditë në Klubin Sportiv Vllaznia dhe rezultati i ekipit të të rejave, është pikërisht tregues dhe vijimësi.
Gjatë bashkëbisedimit i sigurova se mbështetje e Bashkisë së Shkodrës për sportin, në veçanti për basketbollin, do të vijojë edhe pas ndryshimeve në ligjin për sportin.
Masivizimi i sportit, krijimi i ekipeve zinxhir, evidentimi dhe stimulimi i talenteve të reja për të furnizuar edhe ekipet që marrin pjesë në kampionatet kombëtare, është e do të jetë prioritet i Bashkisë Shkodër”, përfundon ajo.