15 vjet më parë, kur askush nuk i njihte as emrin dhe aq më pak përdorimin e gjërë që sot ka, vëllezërit Hilmi dhe Shefqet Zeneli nisën kultivimin e rukolës. Që në ditën e parë, ishin të afërmit e tyre në Itali që i sugjeruan që farën e rukolës, për të garantuar një cilësi të plotë bio dhe të certifikuar, ta siguronin nga Italia. Për 15 vjet me rradhë, rigorozisht këta fermerë kultivojnë të njëjtën cilësi, sipas standarteve më të larta të Bashkimit Europian.
Në Bahçallëk të Shkodrës, aty ku kanë pronën e tyre, vëllezërit Zeneli kanë ngritur edhe serrat e tyre, në një sipërfaqe rreth 1.5- 2 dynym. Jo vetëm prodhime cilësore bie, me pleh organik, por edhe të hershme, ata sot furnizojnë restorantet më të mira të Shkodrës dhe marketet. Produkti i tyre është i njohur zyrtarisht dhe sipas standarteve më të larta ligjore e certifikimit, duke batur si identifikim edhe barkodin e personalizuar.
Është në fakt një fermë familjare, e cila përveç rukolës, prodhon edhe sallatën jeshile, domatet etj, të gjitha rigorozisht bio dhe siç preferohen nga konsumatorët. Tek flet me Hilminë e Shefqetin, përgjithësisht janë të kënaqur me ecurinë e bisnesit të tyre. Megjithatë, kanë edhe ato humbjen e tyre. Teksa bëmë një vizitë në fermën e tyre, pamë që po kositnin dhe po hidhnin një sasi të konsiderueshme rukole. Është e trishtueshme teksa të pohojnë se vetëm sot, po hedhin një vlerë rreth 500 mijë lek të vjetra apo 500 dollarë. Dhe për ata që nuk e dinë, në varësi të stinës, rukola në markete apo dyqane fruta- zarzavate shitet me pakicë nga 5- 10 mijë lek të vjetra kilogrami.
Mungesa e tregut për produktet e tyre, e sidomos për rukolën, është një shqetësim jo i vogël. Fillimisht, sepse kjo bimë po kultivohet në masë në shumë zona të Shkodrës. Natyrisht jo me cilësinë që ofrojnë vëllezërit Zeneli, por që gjejnë treg. Nga ana tjetër, rukola akoma nuk është një produkt që njihet dhe blihet gjerësisht nga konsumatorët familjarë, të cilët më së shumti e kërkojnë në restorante. Po ashtu, shteti nuk ua garanton një treg, sado të vogël, pse jo edhe një rregullim përmes përzgjedhjes në bazë të cilësisë së produktit.
Teksa i pyet për mundësinë e tregtimit në Malin e Zi, ata thonë se ka një kerkesë mjaft të lartë nga tregu atje. Por pengesa është dogana malazeze. Ajo nuk lejon produktet shqiptare të fermerëve të kalojnë, pavarësisht se janë bio, të certifikuara dhe sipas standarteve. Natyrisht, ata mbrojnë produktet dhe prodhuesit malazez, gjë që shteti shqiptar nuk ka mundësi apo dëshirë ta bëjë.
Madje, vëllezërit Zeneli thonë se edhe disa markete të njohura në Shkodër, e kanë marrë rukolën e tyre, e kanë testuar dhe e kanë vlerësuar. Por nuk e kanë kërkuar sërish sepse preferojnë atë që u vjen nga jashtë, Italia, Greqia apo ndonjë vend tjetër.
Sigurisht, rasti i Hilmi dhe Shefqet Zeneli në Bahçallëk të Shkodrës, nuk është i vetmi. Por mund të sherbejë si një nxitje për strukturat e shtetit të kthejnë vëmendjen. Fillimisht për të krijuar një rregullsi në atë çfarë mbillet, pse jo të përcaktohet sipas zonave ku kulturat janë tradicionale, e më pas edhe për të parë mundësinë e tregut.
Duke bllokuar, siç bën Mali i Zi, importin e produkteve bio që prodhohen në vend, që janë të freskëta dhe lehtësisht të verifikueshme. Imagjinoni, rukola mund të konsumohet me të gjitha vlerat e saj, në një afat kohor jo më shumë se 8 ditë nga kositja. Cila është më e freskët, më cilësore, ajo që vjen me transport detar nga Italia apo ajo që prodhohet në Bahçallëk të Shkodrës?! Komentet janë të tepërta! /Reportazh nga ShkodraWeb Media/