Vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Apelit, i cili njohu si PD zyrtare atë të dalë nga kongresi i 11 dhjetorit 2021 me kryetar Sali Berisha, ka sjellë edhe ndryshime në administrimin e atyre që konsiderohen seli historike të PD- së në rrethe dhe që administroheshin nga drejtues lokalë të PD- së Bashës.
Kështu ka ndodhur edhe në selinë e PD- së në Shkodër, ndërtesa përballë Gjykatës së Shkallës së Parë. Para dy ditëve, me mirëkuptim mes palëve, është bërë dorëzimi i selisë nga PD- ja e Bashës tek PD- ja zyrtare e Berishës. Ndryshimi dallohet që në hyrje, ku në derën kryesore është hequr logo e madhe e PD- së së Bashës teksa kanë mbetur akoma flamuri por edhe një logo, siç shihen edhe në foto.
Ndërkohë, administruesit e rinj të zyrave, kanë thënë për ShkodraWeb, që shumë shpejt do të ndërhyhet për përmirësimin e kushteve të ndertesës, arredimit dhe dekorimit të saj brenda e jashtë, për ta bërë gati edhe në prag të përdorimit intensiv të selisë në kuadër të zgjedhjeve të pritshme parlamentare të vitit 2025.