Në më pak se dy muaj ajo humbi më shumë se 20 kilogramë. Këtë të premte Xhisiela Malokut, do të postonte në rrjetet sociale një foto nga një spital privat në Tiranë. Gazeta Shqiptare kontaktoi në telefon me vajzën që trazoi mbarë opinionin publik dhe politikën, dhe 25-vjeçarja tha se prej dy ditësh kishte rënie të imunitetit. Tek spitali privat, Xhisiela Maloku tha se ka marrë disa qetësues dhe se tani ndihet më mirë.
Gjykata e Krujës dha masën e “arrestit në burg” për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja. I riu u arrestua nën akuzën e përndjekjes ndaj 25-vjeçares Xhesiela Maloku.
Vajza nga Nikla e Fushë-Krujës, e cila prej gati 7 vitesh ishte në një lidhje me djalin e deputetit të PS-së Rrahman Rraja, denoncoi ish-të dashurin për dhunë dhe përndjekje, kallëzim që më pas u tërhoq nga vetë ajo. Ngjarja në fjalë u bë publike pas një denoncimi që në faqen e ‘Facebook’-ut të ish-kryeministrit Berisha më 29 korrik. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë erdhi dhe dëshmia e oficerit Emiljano Nuhu, i cili pohoi se kishte lënë Shqipërinë pasi ishte kërcënuar me jetë nga djali i Rrahman Rrajas. /Burimi: GSH.al/