Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme është nën hetim, pasi akuzohet se në kundërshtim me ligjin ka regjistruar mbledhje në këtë dikaster nëpërmjet aparatit të tij celular. Bëhet fjalë për Xhuvanaq Gjylametin, i cili ka mbajtur postin e drejtorit të komanduar të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme. Burimet thonë për “Panoramën” se rasti në fjalë është regjistruar në fillim të këtij muaji. Në ministri ka patur një mbledhje ku pjesmarrës ka qenë edhe Gjylameti, dhe ky i fundit dyshohet se e ka regjistruar mbledhjen nepërmjet telefonit. Menjëherë pasi është konstatuar një gjë e tillë, eshtë njoftuar për rastin Policia e Tiranës, e cila ka nisur procedimin në gjendje të lirë të zyrtarit, ndaj të cilit u mor edhe masa administrative e pezullimit nga detyra. Nuk dihet objekti i mbledhjes kur është bërë regjistrimi, por burimet thonë se në të merrnin pjesë drejtues institucionesh në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Gjithashtu, burimet thonë se Gjylametit iu sekuestrua edhe aparati ceular me të cilin dyshohet se ishte regjistruar fsheurazi mbledhja dhe diskutimet që u bënë aty. Po kështu, të njëjtat burime thonë se ka dyshime se Gjylameti mund të ketë regjistruar edhe mbledhje të tjera të mëparshme në të njëjtin dikaster. Përveç telefonit celular, objekt i hetimit të Prokurorisë janë edhe kompjuteri i zyrës dhe ai personal i Gjylametit, si edhe posta elektronike e tij. Në Prokurori janë dorëzuar materialet përkatëse ndaj Gjylametit dhe pritet që hetimet të përfundojnë së shpejti, në mënyrë që çështja të shkojë në Gjykatë.
Deri më tani, ai akuzohet për veprën penale të zbulimit të akteve ose të të dhënave sekrete që parashikohen në nenin 295/a. Tashmë, nëse shpallet fajtor, Gjylameti rrezikon nga dënimi me gjobë, deri në 3 vjet burgim. Rasti në fjalë nuk është bërë publik në media nga autoritetet përkatëse. /panorama/