Një 24 vjeçar shqiptar është arrestuar në Collier të SHBA-ve, nën akuzën e mashtrimit financiar. Marian Kola u vu nën pranga të enjten e kaluar nën akuzën se drejtonte një kompani të rreme të ajrit të kondicionuar që mashtronte klientët. Sipas mediave të huaja, Kola mashtroi një të moshuar duke përfituar nga ky i fundit shumën prej 14 mijë dollarëve.
Mësohet se i riu prej një viti operonte me biznesin e tij në instalimin e kondicionerëve. Ndërsa ndaj tij u bë një padi nga një 77 vjeçare të cilës i kishte montuar një sistem ajrimi pa asnjë lloj garancie dhe më pas i kishte marrë shuma të majme për shërbimet e tij po pa arritur t’i rregullonte problemin. E moshuara kisthe tentuar ta telefononte vazhdimisht por ai nuk i përgjigjej më telefonatave të saj.
Hetuesit thanë se Marian Kola gjatë dëshmisë së tij ishte i pavërtetë në ato që thoshte dhe se u zbulua gjithashtu se operonte me biznesin e tij pa pasur një licensë. Ndaj tij u mor masa e arrestit me burg për arsye sigurie që i dyshuari të mos ishte në gjendje të largohej drejt Shqipërisë të cilën e kishte vizituar 5 herë gjatë vitit të kaluar.