Kristjan Mëhilli është 27-vjeçari shqiptar, sipas mediave italiane me origjinë nga Shkodra, i cili ka arritur të arratiset në natën e ndërrimit të viteve nga burgu i Vercelli në Itali.
Mediat italiane shkruajnë se i riu, ka sharruar hekurat e qelisë dhe ka zbritur me çarçafë nga kati i katërt i burgut në natën kur vëmendja edhe e gardianëve ka qenë tek festa e Vitit të Ri.
Ajo që bie në sy në raportimet e mediave italiane është se e konsiderojnë shqiptarin si “të rrezikshëm dhe pa skrupuj”.
Mëhilli duhet të vuante dënimin në burgun e Vercelli deri në vitin 2029.
Kërkimet për të janë duke u zhvilluar në të gjithë rajonin, ku policia italiane ka ngritur postblloqe të shumta.
I riu ishte arrestuar në maj të vitit 2019 së bashku me tre bashkatdhetarë të tjerë si pjesë e bandës që kryente grabitje në vila në zonat Alessandria, Casalese dhe Vercelli.
Me Mëhillin u arrestuan edhe Çesk Thani, Augustin Pjetergjokaj dhe Kristjan Keci.