Sot shqiptarët në të gjithë globin, kanë patur një ditë të veçantë gëzimi por edhe feste. 13 vjet më parë Kosova jonë do të shpallte Pavarësinë, duke u njohur deri tani nga 117 shtete nga e gjithë bota. Janë të shumta urimet, përmes rrjeteve sociale e mediave tradicionale, nga njerëz të thjeshtë, autoritete e personalitete.
Megjithatë ndoshta mënyra më e veçantë për të uruar këtë festë mbarë kombëtare, është gjetur nga Agroturizëm “Mrizi i zanave” në Lezhë. Janë të shumtë ata që e frekuentojnë çdo ditë të vitit dhe natyrisht, janë të shumtë edhe shqiptarët e Kosovës. Në ditën e Pavarësisë së Kosovës, “Mrizi i Zanave” ka gjetur një mënyrë shumë origjinale, duke u lënë të gjithëve një kartolinë si “faturë”.
“Kjo ishte fatura që ju dhamë Shqiptarëve të Kosovës sot në drekë dhe darkë.”, është publikimi i bërë në rrjete sociale nga vetë Agrozurizëm “Mrizi i Zanave”, jo vetëm duke uruar Pavarësinë por edhe gostitur shqiptarët e Kosovës. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, nga një biznes jo vetëm puro shqiptar por edhe me zemër të madhe. /ShkodraWeb Media/