Kjo ndërtesë që nga viti 1935 ka qenë bankë, fillimisht si Banca di Napoli, pastaj nga viti 1945 si Banka e Shtetit Shqiptar deri në 1994, dhe më pas si Banka Kombëtare Tregtare – BKT deri në vitin 1997. Godina e bankës është djegur dhe plaçkitur në mars 1997 dhe që nga ajo kohë nuk është rindertuar! Gjithashtu në atë kohë u dogjën dhe të gjitha mobijlet dhe pajisjet që kanë qenë të njëjta me pajisjet e Bankës së Shqipërisë, të cilat janë akoma funksionale!
Fasada ka qenë e modifikuar nga italianet që në vitet 30, për të krijuar një lloj uniformiteti kudo në Shqipëri. Kështu kangjellat kanë qenë njëlloj në bankat e tjera në Shkodër, Durrës, Korçë si dhe tek Banka e Shqipërisë. Godina ka qenë dhe është pronë private. Nga Banca di Napoli – qeraja ka qenë e parapaguar deri në vitin 1956. Pastaj është shtetëzuar dhe i është kthyer pronarëve vetëm në vitin 1992.
Pronarët dhe trashëgimtarët ishin shumë (mbaj mend atëherë 21 syresh) sepse kur paguanim qiranë një herë në muaj bënim 21 mandate, sic duket kishin mosmarrëveshje dhe kjo duhet të jetë arsyeja e gjendjes së saj. Fasada që shohim sot është fasada e hershme para rikonstriksionit nga italianët. Në arkivin online të Marubit gjenden dhe foto të Bankes. Është djegur dhe plackitur me 13 mars 1997. Për kuriozitet, kasafortat kanë qenë italiane me sekret shifror të markës “Fratelli Sarono”. Nga këto kasaforta ka sot në Bankën e Shqipërisë dhe të Durresit, te cilat janë funksionale.
Të gjtha mobiljet, karrige e kolltuqe, kanë qenë me stemë BN (Banca di Napoli) të stampuara në lëkurë. Tavolinat dollapet radiot, gramafonat kanë qenë njelloj si në BSh. Në fillim të viteve 90 deri në 97 kemi punuar me makina shkrimi Oliveti të viteve 1930, e veçanta e tyre ishte se tastiera ishte shqip, dmth kishe karaktere qe nuk i ka asnjë tastierë në botë, ndërsa si karakter të monedhës kombëtare kishte “fr ar”.
Arkivi ka qenë një vlerë e paçmueshme e bankës pasi aty mund të merrje informacion te plotë për aktivitetin ekonomik të Shkodrës që nga vitet 30!
P. S. Tek dritarja e dytë nga e djathta, kati I, ka qenë zyra ime. Për gati tre vite rresht pas djegies nuk kam kaluar përpara bankës, nuk mund ta shikoja atë godinë të katandisur në atë gjendje. Sot, sa herë që kaloj aty ndjej emocion dhe brengë njëkohësisht! /Nga Leon DIONIZI/