Me 18 dhjetor 2021, nga ora 08.00 deri në 17.00 është njoftuar zhvillimi i referendumit të antarësisë së PD- së për ratifikimin e vendimit të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha.
Ishte menduar që votimi të kryehej në selitë lokale ttë PD- së. Madje, Berisha i kishte bërë thirrje publike kryetarëve lokalë të mos pengonin ushtrimin e të drejtës së demokratëve. Mesa duket, në Shkodër nuk ndodh kështu.
“Dëshpërimi që ka kapluar pseudotolerantat dhe gjithëpërfshirësit Bashistë shprehet mirë në aksionin e mbylljes me zinxhirë të degës së PD-së Shkodër. I bëj thirrje kryetarit të degës z. Xhevdet Amuli të distancohet nga kjo lajthitje pasi dega nuk është pronë private. Kjo është përçarja më e madhe që po induktohet nga ish kryetari dhe deputeti Lulzim Basha. Turp!”, shkruajnë në një publikim në Facebook antarët e kryesisë së PD- së Shkodër Ervin Gjini, Arben Luashaj, nënkryetarja Irena Shestani Shala dhe kryetarja e LDG- së Imelda Aga Kraja.
Nuk është e qartë nëse zinxhirët janë thjeshtë rastësi ditën e sotme apo dera e selisë së PD- së Shkodër do të qendrojë e mbyllur edhe me 18 dhjetor 2021. /ShkodraWeb/