Kundërshtarët e Vllaznisë kanë zhvilluar mbrëmjen e kaluar stërvitjen e tyre në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, pikërisht në orarin e ndeshjes, 21.00.
Ndërkohë, në momentin e ardhjes në stadium ata janë pritur edhe nga drejtuesit e Vllaznisë. Sponsori Xhaferi dhe drejtori sportiv Djarmati janë parë të takohen përzemërsisht me drejtorin dhe trajnerin e ekipit qipriot.
Pritja që këta të fundit u kanë rezervuar në Limassol u ka lënë mbresa shkodranëve të cilët kanë dashur t’ua kthejnë me të njëjtën mënyrë.
Kjo padyshim që është diçka shumë pozitive. Se kush do të fitojë në fushën e lojës pastaj këtë do ta vendosë 90 minutëshi i mbrëmjes së sotme megjithatë miqësia sportive është shumë e vlefshme.
Në Shkodër në fakt miqtë kanë qenë gjithmonë të mirëpritur dhe kështu ka ndodhur edhe këtë herë me qipriotët e AEL, të cilët gjithsesi në fushë do të kërkojnë t’i mundin.