Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta se i inkurajon “fuqimisht të gjitha palët të ecin drejt miratimit me konsensus të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, siç janë zotuar, brenda datës 31 maj 2020”.
“Faleminderit zoti President për inkurajimin tuaj”, thekson ambasadorja Kim në postimin e saj në Twitter.
Ndërsa kreu i shtetit thotë se tani që Shqipëria ka kryesimin e radhës së OSBE, “mospërmbushja e rekomandimeve të OSBE-ODIHR do të ishte një turp i madh për vendin tonë dhe një skandal i paprecedent në historinë e OSBE-së”.
Postimi i kreut të shtetit:
Inkurajoj fuqimisht të gjitha palët të ecin drejt miratimit me konsensus të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, siç janë zotuar, brenda datës 31 maj 2020.
Shqipëria ka kryesimin e radhës së OSBE, ndaj dhe miratimi i njëanshëm i këtyre ndryshimeve, si dhe mospërmbushja e rekomandimeve të OSBE-ODIHR do të ishte një turp i madh për vendin tonë dhe një skandal i paprecedent në historinë e OSBE-së.
Shpresoj që kjo s’do ndodhë!