Sot është Dita e Shna Ndout, votohet për kryetarin e ri të PD- së por…nuk ka dy pa tre, thotë populli. Pikërisht sot ka ditëlindjen edhe Edona Bilali, deputete e zgjedhur e PS- së për Shkodrën me 25 prill. Edhe pse vitlindja e saj është publike (1989) përmes dokumenteve publike të depozituara në KQZ, pakkush do të kujtohej për ditëlindjen- me përjashtim të familjarëve, miqve e të njohurve, nëse vetë Bilali nuk do të kishte publikuar një status me këtë rast.
Nuk është një publikim i zakonshëm, sepse shoqërohet me një foto domethënëse. Ditëlindja e deputetes socialiste të zgjedhur, ka qenë në vëmendje edhe të vetë kryeministrit Edi Rama. Më saktë, të stafit të tij, i cili në raste të ngjashme, për personazhe publike por që edhe marrin vlerësimin e kryeministrit, u dërgon nga një shishe verë. Ekzaktësisht ka ndodhur edhe në rastin e Bilalit.
“Dje ditëlindja e familjes së madhe 🌹, sot imja. Familja e vogël vazhdon më mban me hatër ndërsa familja e madhe u kujdes që kjo ditëlindje të kishte edhe shenjën e saj tejet të veçantë. E vlerësoj, faleminderit 🙏 @ediramaal . Miq faleminderit për urimet, ju dëshiroj të gjithëve shëndet e tju qeshë zemra përherë 🤗”, shkruan Bilali në publikimin e saj, duke e ilustruar edhe me foton që tregon dhuratën nga kryeministri i vendit.
Me këtë rast, edhe ShkodraWeb uron deputeten e zgjedhur Edona Bilali: Jetë të gjatë, të lumtur e sa më shumë sukses për vete por edhe për Shkodrën tonë në rrugëtimin e saponisur në politikë! Edhe 100!