Sonte është një natë e veçantë për Shkodrën. Pas një sezoni të paharrueshëm, u kurorëzua si fituese e Kupës së Shqipërisë, trofeu më i rëndësishëm pas titullit kampion. Gëzim të veçantë ka një person, jo i zakonshëm. Është ai që në vitin e largët 1965, me golin e tij, i dha kupën e parë Vllaznisë tonë.
Ai është Selami Dani, një legjendë e gjallë e futbollit shkodran. Emocionet na i ka treguar Genta, vajza e tij. Përmes një teksti të shkurtët por të mbushur me emocione, Genta shkruan më shumë me shpirt e zemër se me dorë në tastierën e kompjuterit:
“Shkodra asht gzushem sante. Asht vesh me shendin e tan shkodranve. Kjo ere e fundmajit sjell e pshtjell aromen e golit te fitores. Fishekzjarret rroken me qiellin e dritojn ket qytet me histori te madhe futbolli.
Natyrshem fillojn bisedat per kampionatet e kupat nder vite. Qershor 1965. Vllaznia-Skenderbeu 1:0. Goli: Dani Kupa e Parë e Republikës nga Vllaznia.
Sa me modesti tregon baba jem.Syt e tradhtojn.Aty shof perzimje malli per koht e bukra e per shum nga ata shoke qe nuk jan ma.Se “Vllazni” per ty don me than:”Tan bashk”.
Gëzuar profe!”, shkruan Genta Dani, vajza e Selami danit, ai që ka shënuar emrin në librin e artë të Vllaznisë me golin që i dha Kupën e parë Vllaznisë. Vllaznia jo vetëm e sontme por e këtyre më shumë se 100 viteve, është e tillë edhe për meritë të legjendave si Selami Dani. /ShkodraWeb/