Pas humbjes përballë Bardh Spahisë së “Shtëpia e Lirisë” në garën e 6 Marsit për Bashkinë e Shkodrës, kryeministri Edi Rama ka rikthyer në detyrën e prefektes së këtij qarku kandidaten e PS Majlinda Angoni.
Ajo është shfaqur në këtë cilësi publikisht ditën e sotme, duke shoqëruar ambasadorin e Turqisë në Shqipëri në një vizitë në qytetin e Shkodrës.
Angoni u dorëhoq nga posti i prefektes me datë 7 Shkurt pasi mori besimin e socialistëve për të kandiduar për postin e kryebashkiakes. Këtë dorëheqje, Angoni e bëri publike dhe në rrjetet sociale.
Në zgjedhjet e 6 Marsit, ajo nuk arriti të merrte më shumë se vendi i dytë në bastionin historik të demokratëve që do të drejtohet nga Bardh Spahia deri në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2013.
Ndërkohë, me një kerkim të thjeshtë në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave apo edhe në Fletoren Zyrtare, nuk rezulton akoma një vendim qeverie për emërimin e Angonit si Prefekte e Qarkut Shkodër.
Ndoshta akti apo VKM- ja është miratuar në mbledhje qeverie por nuk është bërë akoma publik në faqet zyrtare on line të qeverisë. ShkodraWeb i uron suksese Angonit në rikthimin e saj në detyrën e Prefektes së Shkodrës.