Ilir Kepa, për ata që e kanë ndjekur në “fushën e blertë” por edhe ata që e kanë parë përmes videove, është një nga lojtarët më të mirë në historinë e Vllaznisë. Ai është shquar për teknikën e lartë, elegancën dhe fantazinë në lojë.
Në fillim të viteve ’90 ai ishte pjesë e Kombëtares shqiptare, duke lënë gjurmë me cilësitë që thamë më lart. E për këto cilësi, ai nisi një karrierë të suksesshme në Belgjikë, ku jeton edhe sot familjarisht.
Sa herë kthehet në Shkodër, Ilir Kepa është me shokët e tij, të fushës së blertë por edhe të futbollit si sport. Edhe këto ditë Kepa është në Shkodrën e tij me pushime. E natyrisht, nuk mungojnë takimet me ish- kolegët por edhe brezat më të rinj të futbollistëve kuqeblu.
“Te pedonalja në shkoder me shoqerin teme shumë të mire. Avenir Dani, Hysen zmijani, Armando cungu, etj.”, shkruan Kepa në publikimin e një fotoje, ku shihet në shoqërinë e disa emrave mjaft të njohur të futbollit dhe jo vetëm.
Edhe pse në Belgjikë, mendja e zemra e tij janë në Shkodër, edhe tek Vllaznia e tij. ShkodraWeb ka publikuar shumë herë komente, shkrime e postime të Kepajt, sidomos lidhur me Vllazninë, të cilën e ka mbështetur edhe në momentet më të vështira të këtij sezoni.
Natyrisht, nuk mungojnë as takimet përtej Shkodrës, me ish- furbollistë me të cilët është njohur në ndeshjet e kampionatit apo edhe të Kombëtares, siç është rasti i Sulejman Demollarit, një nga yjet e tjera të futbollit shqiptar.
Mirë se erdhe në Shkodrën tande Kampion! Pushime të mbara Ilir Kepa! /ShkodraWeb/