Fotografitë zemërthyese nga Ukraina kanë zbuluar mizorinë e pushtimit rus. Një imazh që ka bërë xhiron e mediave botërore tregon një foshnjë të porsalindur e cila shpëtohet nga një ushtar ukrainas në një zonë që po bombardohet në afërsi të Kievit.
Imazhet nga Irpin, i vendosur në periferi të kryeqytetit Kiev, konfirmon dëmet e shkaktuara nga forcat ruse në zonat me popullsi të dendur civile.
Nga pamjet shihet një grumbuj rrënojash, një urë e shkatërruar dhe makina të djegura. Ushtari ukrainas u fotografua duke shpëtuar foshnjën e vogël nga një zonë e shkatërruar plotësisht.
Fotot e tjera tregojnë dy gra në lot në sy, teksa ecin nëpër lagjet shkatërruara të qytetit me banesa që kanë shpërthyer në flakë, si pasojë e bombardimeve.
Skenat e shkatërrimit u panë dhe në qytetin veriperëndimor të Zhytomyr të premten, ku bombardimet nuk kursyen dhe një shkollë e cila u shkatërrua plotësisht.
Ndërkohë që këto pamje të rënda vijnë nga Ukraina, Vladimir Putini me retorikën e tij iluzionuese ka këmbëngulur sërish se Rusia nuk po bombardon qytetet dhe zonat me popullsi civile në Ukrainë.