Kjo është pamja që ofron sot një nga rrugët e sheshet kryesore të qytetit të Shkodrës. Dhjetra degë e trungje pemësh të prera apo krasitura të depozituara në konteinerët e mbetjeve urbane por edhe në trotuarin pranë tyre. Është sheshi “Demokracia” ku qarkullojnë çdo ditë mijëra makina e kalimtarë, mes të cilëve edhe turistët, që edhe këto ditë të fundit të tetorit, janë të shumtë.
Menjëherë, sidomos kritikët e përhershëm, drejtojnë gishtin tregues nga Bashkia e Shkodrës. Problemet me pastrimin, me fakte reale apo edhe të vjetra të sjella në kohë, sidomos përmes rrjeteve sociale, evidentohen si përgjegjësi e qeverisjes vendore. Edhe kur konteinerët janë bosh dhe rrotull tyre ka përtokë mbetje urbane nga më të ndryshmet, edhe kur në to depozitohen mbetje nga më të çuditshmet që nuk kanë asnjë lidhje me konsumin e përditshëm të shkodranëve, edhe kur marketet apo biznese të ndyshme, lëmë pirgje me arka që nga letrat, deri tek ato metalike.
Shërbimi i pastrimit publik, për të cilin paguajnë një pjesë e konsiderueshme e shkodranëve por jo të gjithë, është detyrë parësore e ndërmarrjes përkatëse. Por natyrisht, është edhe përgjegjësi e bizneseve apo qytetarëve, të cilët për të reduktuar kostot e transportit apo asgjësimit të tyre sipas rregullave, i lënë në afërsi të konteinerëve të mbeturinave, siç është rasti i sotëm, përpara Radio Shkodrës. Është e qartë se Bashkia, Policia Bashkiake, Ndërmarrja e Pastrimit, të vetme nuk mund t’ ja dalin të mbajnë Shkodrën e pastër.
Në fund, edhe një kujtesë për Bashkinë e Shkodrës. Shumë qytetarë apo biznese, duan të tregohen “të zgjuar” apo siç thuhet në Shkodër, “kopila”. Përgjegjësinë e tyre individuale për evadimin e mbetjeve, duan t’ ja kalojnë bashkisë direkt, indirekt edhe qytetarëve që paguajnë taksa e tarifa, edhe për pastrimin e qytetit. Në rastin që evidentohet në foto, Bashkia e Shkodrës e ka të lehtë të gjejë abuzuesin. Mbi konteinerë, ka kamera të instaluara dhe mund të identifikohet fare lehtë “kopili” apo “i zgjuari” i radhës. Nga ana tjetër, ka penalitete, masa administrative, gjoba, të cilat sherbejnë për “të edukuar” përmes “shfryrjes së xhepi personal”, abuzuesit.
Sheshi vertetë mban emrin “Demokracia” por në asnjë rast nuk duhet përceptuar si anarshi, abuzim në kurriz të shkodranëve të tjerë, duke dëmtuar imazhin e qytetit. Është koha që edhe në këtë drejtim, Bashkia e Shkodrës, Policia Bashkiake por edhe organe të tjera ligjzbatuese, të veprojnë. Dikush/disa duhen bërë “shembull”. Duhet vepruar me forcën e ligjit, nuk duhet toleruar më papërgjegjshmëria e disa individëve në kurriz të qytetit dhe shkodranëve. Sigurisht, nuk mund të vendosen “roje” për çdo konteiner mbetjesh urbane por ndëshkimi për abuzuesit duhet të jetë shembullor. Duhej vepruar dje por edhe sot nuk është vonë! Mjaft është Mjaft! Dhe jo vetëm për çeshtjen e mbetjeve urbane! /ShkodraWeb/