Aktivistja e njohur, Evi Kokalari ka postuar një foto me ish kryeministrin Sali Berisha në zyrën e këtij të fundit një ditë pasi Lulzim Basha dha dorëheqjen nga posti i kreut të partisë.
Në mbishkrimin e vendosur në foto, Kokalari shkruan “Gëzuar ditën e parë të konservatorizmit shqiptar”. Me këtë rast, kujtojmë se në datën 23 mars të vitit 1992, PD mori shumicat e votave të shqiptarëve duke shënuar edhe rënien e partisë së Punës nga pushteti.
Me anë të këtij postimi duket sikur Kokalari kërkon të përçojë një mesazh sa i përket kthimit të partisë Demokratike në një parti me tipare konservatore shqiptare bazuar në modelin e partive konservatore në SHBA.
Kthimi i PD-së në një parti me tipare të theksuara konservative, është paralajmëruar edhe gjatë “foltoreve” të mbajtura nga ish kryeministri Sali Berisha nëpër qytete të ndryshme të vendit.
Kokalari ka qenë një prej kritikëve të ish kryetarit të PD, Lulzim Basha që në momentin që ky i fundit, nuk pranonte të mbante përgjegjësi për humbjen e partisë Demokratike në zgjedhjet e zhvilluara.