Edona Bilali, deputet e zgjedhur e Qarkut Shkodër me 25 prill 2021, ka zbuluar një “sekret”. Ajo ka treguar se cili është njeriu me të cilin merren vesh me sy, pra pa folur fare. Nuk bëhet fjalë për ndonjë të afërm të Bilalit por për një person të cilin sipas gjasave, nuk ka më shumë se tre muaj që e njeh.
“Një kafe pune me njeriun që “merremi vesh me sy” @becibenet që ditën e parë . Diskutuam mbi projekte konkrete që do ti kthejnë Shkodrës ndriçimin e merituar “, shkruan Edona Bilali, duke publikuar edhe një foto nga kafja e punës me Benet Becin, edhe ai deputet i zgjedhur i Shkodrës me 25 prill 2021.
Më shumë se një herë, Bilali por edhe Beci, pasi Ilr Beqaj si drejtues politik i PS- së në Qarkun Shkodër “u dogj” në listë, kanë premtuar shumë për Shkodrën, më shumë si qytet se si qark. Jo pak ka premtuar edhe deputeti tjetër i zgjedhur Paulin Sterkaj.
Të presim çfarë do të ndodhë nga shtatori me fillimin e parlamentit të ri, edhe pse Shkodra “i hëngri” një deputet PS- së së Ramës krahasuar me 2017- ën. Sa për informacion, fotoja duket se nuk është shkrepur në Shkodër por në Vau- Dejës. Emri i lokalit është interesant, por nuk po e përmendim për arsye reklame… /ShkodraWeb/