Teksa ka kaluar pak më shumë se një muaj nga pasditja dramatike në Kopenhagen, Eriksen, duket se i është rikthyer normalitetit. Mesfushori danez është parë këtë mëngjes, nën shoqërinë e bashkëshortes, Sarbina dhe fëmijës së tyre të vogël, duke shëtitur në rrugët e kryeqytetit danez. Eriksen, shihet i qetë në krahë të së shoqes, duke tërhequr karrocën e bebit. Ndërkohë, është ende e paqartë e ardhmja e fantazistit.
Pas një ndërhyrjeje ai ka vendosur në zemër një defribilator, për të stabilizuar rrahjet. Me një instrument të tillë në trup, 28-vjeçari e ka të pamundur për të luajtur në Itali, pasi rregullat e Seria A, janë mjaft strikte sa i përket personave që vuajnë nga zemra.
Ai mund të luaj lirisht në një kampionat tjetër, përshembull në Holandë, ku me një aparaturë të ngjashme luan mbrojtësi Daley Blind.
Megjithatë, pritet që me ardhjen e tij në Milano, t’i nënshtrohet ekzaminimeve më të detajuara, për të mësuar nëse defribilatorin do e mbajë përkohësisht, apo për një kohë të gjatë. Nëse rezulton kështu, atëherë, mesfushori duhet të hedhë sytë drejt një kampionati tjetër.
Po çfarë ndodhi më 12 qershor 2021?
Ishte ndeshja debutuese e Danimarkës në Euro 2020. Pak para se të përfundonte pjesa e parë, Christian Eriksen, u shtri në mes të fushës pa ndjenja. Ishin shokët e ekipit ata që i erdhën të parët në ndihmë, duke formuar edhe rreth tij një kordon mbrojtës, për të ndaluar pamjet e rënda për teleshikuesit.
Mjekët u afruan me shpejtësi dhe i dhanë ndihmën e parë. Për fat të mirë, lojtari iu përgjigj pozitivisht mesazhit kardiak dhe u risoll në jetë.
Ai tashmë i është nënshtruar një ndërhyrjeje në zemër dhe po pushon në atdheun e tij në Kopenhagen. Pasi të ndihet më mirë do të rikthehet sërish në Milano, për të mësuar se çfarë do të ndodhë me fatin e tij.