Prej disa vitesh peshkaqenët kanë nisur të shfaqen në brigjet shqiptare. Nuk janë të pakta rastet kur këto kafshë grabitqare të detit, janë kapur nga peshkatarët dhe janë demonstruar edhe në breg të detit.
Rasti më i fundit, konstatohet në Velipojë. Në rrjetet sociale po qarkullojnë foto të një peshkaqeni të ngordhur, në breg të detit në Velipojë. Nuk është e qartë se si ka përfunduar peshkaqeni në breg te detit, por përmasat e tij janë të konsiderueshme.
Nga një vëzhgim i parë i fotove, duket se peshkaqeni është i dëmtuar në pjesën e bishtit. Specialistët thonë se peshkaqenët i afrohen bregut për shkak të temperaturave të ujit por edhe të peshqve të tjerë që sherbejnë si ushqim.
Fatmirësisht deri tani, nuk njoftohet për sulme të peshkaqenëve ndaj njerëzve, por natyrisht, duhet të ketë kujdes të shtuar, ndoshta edhe monitorim apo krijim të një brezi të sigurtë për amatorët e detit dhe notit.