Problemet me trafikun nuk kanë të sosur në Shkodër. Bllokimet e lëvizjes së mjeteve motorike e shqetësimet për këmbësorët, janë bërë të përditshme. Por fatkeqësisht, nuk mungojnë as piratët e rrugës. Mbrëmjen e kaluar një mjet ka dëmtuar rëndë saksitë apo vazot e mëdha që rregullojnë oborrin e jashtëm të Kishës së Fretënve (Frabçeskane).
Në rrjet qarkullon një foto, nga e cila kuptohet qartë se mjeti ka ardhur në kundravajtje, nga krahu i rrugës së Gjuhadolit. Por kjo është më e vogla. Makina e drejtuar nga pirati i rrugës, duket se ka qenë me shpejtësi shumë të lartë dhe është përplasur me vazot të cilat sigurojnë hyrjen e kishës për besimtarët por edhe ngushtësojnë rrugënn me një kalim.
Është momenti që policia, ajo e Shtetit, Rrugorja apo e Dreqit, të ndërhyjë. Zona e Kishës së Fretënve ka një numër të madh kamerash. Mund të gjendet lehtë kush është drejtuesi- mjeshtër i mjetit. Përveç gjobës, bllokimit të patentës, duhet të zhdëmtojë edhe dëmin material. Edhe diçka të fundit, n[se pas orës 23.00 ka pak ose aspak qytetarë në rrugë, këtë rregull janë të detyruar ta shkelin policët e të gjitha ngjyrave.