Ishte lrhtësisht e parashikueshme dhe në fakt ashtu ndodhi. Edhe përmes pandemisë që ka mbërthyer vendin tonë, qeveria synon të përfitojë politikisht. Nuk mjaftojnë daljet e shpeshta të kryeministrit në rrjete sociale e ekrane televizionesh, por tashmë kanë nisur edhe sondazhet. Një i tillë është shpërndarë në mijëra adresa e-mail. Pas verifikimive të bëra nga ShkodraWeb Media, bëhet fjalë për e-mail-e me të cilat janë hapur llogaritë në portalin e-Albania, ndërsa sondazhi vjen fillimisht nga adresa kontakt@kryeministria.al ndërsa pyetjet e sondazhit të ridirektojnë në adresën www.opinionqytetar.kryeministria.al. Pra, dikush nga Kryeministria, ka akses tek të dhënat e të gjithë shqiptarëve që kanë llogari tek e-Albania, shkelje flagrante kjo e privatësisë dhe ligjit për trajtimin e të dhënave personale.
Mesazhi që mbërrin në mail-in tuaj, ka këtë përmbajtje që është e lehtë të shihet se është thjeshtë propagandë politike në favor të qeverisë: “Shqipëria ia ka dalë mbanë me faqe të bardhë deri këtu, në përballjen me një nga fatkeqësitë më të mëdha të kohërave moderne, pandeminë e COVID19.
Kjo fazë e luftës kundër pandemisë nuk do mund të fitohej pa masat e forta të marra shpejt dhe pa mbështetjen e madhe të qytetarëve në zbatimin e tyre deri në mbylljen me sukses të Fazës 1.
Vendosmëria jonë e përbashkët, shmangu një tragjedi të ngjashme me Italinë mike dhe fqinje, e me vende të tjera shumë më të fuqishme se Shqipëria. Por lufta vazhdon dhe që ta fitojmë edhe Fazën 2, siç fituam Fazën 1, ne duhet të vazhdojmë të jemi të bashkuar.
Marrja e opinionit tuaj sot mbi çfarë kemi bërë së bashku deri këtu, ka një vlerë të çmuar për të formësuar vendimet e vështira që duhen marrë më tej dhe për të ndihmuar sa më mirë njëri-tjetrin.
Mirënjohje,
Platforma e Bashkëqeverisjes kundër COVID19″, përfundon mesazhi, në fund të të cilit ka një buton për të dhënë përgjigjet tuaja për pyetjet.
Siç mund ta shikoni edhe vetë, në mënyrën e formulimit, pyetjet sugjerojnë edhe përgjigjen, e cila është shumë e vështirë të mos jetë në favor të qeverisë, pra asaj që e ka ideuar këtë sondazh.
Në fund fare, të kërkohet edhe të japësh të dhënat e tua. Pavarësisht se janë informacione sensitive dhe të mbrojtura nga ligji, askush nuk të tregon se si do të trajtohen të dhënat tuaja, duke nisur nga gjeneralitetit, adresa e postës elektronike dhe numri i telefonit. Sipas gjasave, atje në kryeministri, janë marrë mendsh nga shpejtësia e organizimit të këtij sondazhi dhe kanë harruar disa “vogëlsi” që janë shkelje flagrante e ligjit.
E për ta mbyllur. Sipas gjasave, shumë shpejt qeveria, direkt ose indirekt do të shpallë rezultatet e këtij sondazhi. Nuk ka as më të voglin dyshim se do të jetë një tjetër “sukses” për qeverinë edhe administrimi i pandemisë së COVID-19. Pa hyrë akoma në fazën e dytë të trajtimit të pandemisë, qeveria nxiton për sondazh. Nuk e kemi të verifikuar, por asnjë nga kryeministrat apo qeveritë e Europës, SHBA-së apo vendeve të tjera të prekura, nuk humbin kohë e energji për sondazhe të tilla. Për pyetjet dhe imponimin e përgjigjes, gjykoni vetë pasi ti lexoni. /Shkodraweb Media/