Ante Aralica ka qenë një nga emrat më të përmendur në muajin e fundit te Vllaznia, por jo për atë që jep në fushën e lojës. Sulmuesi kroat është bërë protagonist te shkodranët për faktin e thjeshtë se nuk pranon të largohet nga kuqeblutë.
Kroati 26-vjeçar, ndonëse përfundoi jashtë planeve të trajnerit Mirel Josa dhe me klubin që i kërkoi disa herë që të prishte me marrëveshje kotnratën, insistoi që ta çonte deri në fund atë. Kështu, ai i ka mbetur praktikisht në dorë klubit kuqeblu, që është i detyruar ta paguajë deri në mbylljen e marrëveshjes së nënshkruar mes palëve, ndonëse nuk e aktivizon.
Por edhe nëse dëshiron ta aktivizojë, klubi kuqeblu ka mbetur i shtangur nga një ngjarje e fundit që ka lidhje me lojtarin. Aralica ka vendosur të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale në shpatull për të zgjidhur një problem që e kishte shqetësuar në kohët e fundit.
Ai ka kryer ndërhyrjen, siç shihet edhe nga një postim në rrjetet sociale, duke çuditur jo pak shkodranët. Ata tani nuk do ta kenë në dispozicion as për shkak të kësaj ndërhyrje që nuk dihet sa kohë do ta lërë jashtë fushave sulmuesin.