Shkodra është zyrtarisht “Qyteti i biçikletave”. Pavarësisht se pas 1990- ës u futën gjërërsisht në perdorim mjetet motorike, përsëri “dyrrotakshi” mbetet mjaft i preferuar në Shkodër. Para vitit 1990, flitej për rreth 42 mijë biçikleta në qarkullim në një qytet që nuk arrinte as 65 mijë banorë, një rekord në vete ndoshta edhe në Europë për kohën. Si “kryeqytet” i biçikletës, shpesh është diskutuar se kur erdhi në Shkodër biçikleta e parë.
Një variant, ndoshta edhe më i përhapuri, është viti 1907. Merita i mbetet konsullit të nderit të Suedisë në Shkodër, një nga dhjetra diplomatët që kishin selinë në këtë qytet, kryeqytet i pashpallur diplomatik për shumë e shumë dekada. Por në fakt, Shkodra falë mrekullisë me emrin “Marubbi”, ka prova se biçikleta ka hyrë shumë më herët, të paktën 10 vite më parë. Një foto e vitit 1897, dy burra me veshje kombëtare që pozojnë para objektivit të Pietro Marubbi- it.
Por studiuesi Ardian Muhaj, duke publikuar një tjetër foto, me të drejtë hedh idenë se ndoshta biçikleta ishte në Shkodër edhe para datës së përcaktuar nga një foto e Marubbi- t.
“Kur kompleksin e inferioritetit e ushqejmë me perralla… Qarkullojnë nëpër rrjet ‘rrefime” se si erdhi biçikleta e parë në Shkodër dhe se si atë e solli nji konsull suedez në vitin 1907 dhe se shkodranët nuk kishin pa kurrë diçka të tillë edhe kështu u shastisën aq shumë prej biçikletës konsullore sa që e përvetësuan përjetësisht… Çka me i ba Marubit që ka shkrepë foto me biçikleta në Shkodër 10 vjet para “rrëfimit” pseudohistorik me biçikletën konsullore… Madje, duke pa xhandarmërinë e qytetit të pajisur me biçikleta që në shek. XIX, ka shumë mundësi që konsulli “suedez” ta ketë pa biçikletën për herë të parë në jetën e tij, bash në Shkodër…!”, shkruan Muhaj.
Logjikisht, kur një trupë e tërë pajiset me biçikleta, i bie që ky mjet jo vetëm të ketë hyrë në Shkodër por edhe të jetë vlerësuar pozitivisht si mënyrë për lëvizjen e xhandërmërisë në rrugët e qytetit. /ShkodraWeb/