Turizmi shqiptar po përpiqet gradualisht të rimarrë veten pas problemeve që iu krijuan me pandeminë e Covid-19. Situata është e vështirë jo vetëm për shkak të kufizimeve që lidhen me ardhjen e turistëve por edhe me mundësitë e pakta financiare të qytetarëve pët turizëm. Megjithatë, diçka ka nisur të lëvizë dhe kjo shihet thuajse në të gjitha zonat turistike, nga Veriu në Jug, diku më shumë e diku më pak. Por çfarë gjejnë turistët kur janë në një hotel apo bar- restorant?
Ajo që bie në sy, është një rritje e dukshme e çmimeve. Herë pas here, vetë turistët apo pushuesit publikojnë faturat e kripura në rrjetet sociale. Para pak minutave, ka nisur të qarkullojë në rrjet një faturë, shumë, po shumë e kripur. Një hamburger me mish viçi, kushton 1200 lekë të reja ose 12 mijë të vjetra, siç i përdorim rëndom ne. Me paratë e turistëve të huaj, diku tek 10 euro. Një shishe ujë mineral, 0,75 l kushton 250 lekë ose 2500 të vjetra. Me çmimet e turistëve të huaj, më shumë se 2 euro.
Morali? Turizmi është në vështirësi të dukshme. Numri i turistëve apo edhe pushuesve vendas, për shumë arsye, është mjaft i ulët. Edhe ata pak që vijnë, përballen me çmime realisht të papërballueshme. Mesa duket, “etja” për të nxjerrë humbjen e sezonit përmes rritjes së çmimeme, po tremb e largon edhe ata pak që kanë zgjedhur pikat turistike të Shqipërisë për të kaluar disa ditë pushime. /ShkodraWeb Media/