Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky është shenjestër e Rusisë në konfliktin që ka shpërthyer prej disa ditësh. Ish- komediani, i cili është zgjedhur si president i vendit, po rezulton një “kockë e fortë” për Rusinë, Putin dhe planet e tij për pushtimin e Ukrainës.
Mësohet se sapo është parandaluar me sukses një tentativë për të ekzekutuar presidentin e Ukrainës Volodymir Zelensky, madje nga brenda këtij vendi.
Zyrtari i lartë ukrainas, Alexey Danilov, ka thënë se forcat e ushtrisë kanë neutralizuar një grup të posaçëm ukrainas, që ishin në mision për të vrarë Presidentin Volodymir Zelensky.
Nuk jepen më shumë detaje lidhur me këtë ngjarje, ndërsa është bërë publike vetëm një foto ku presupozohet të jenë persona që kanë tentuar jetën e presidentit Volodymir Zelensky, i kthyer në simbol të rezistencës ukrainase.
Prej ditësh, po përflitet se grupe mercenare ruse, por edhe çeçene, janë në mision special për të vrarë disa zyrtarë të lartë në Ukrainë, mes tyre edhe Presidentin Zelensky. Një nga këto grupe, e quajtur “Wanger”, ka bërë disa porosi për Putinin dhe me urdhër të tij, kanë realizuar me sukses disa asgjësime. Së fundmi ata ishin dërguar në Afrikë, për të torturuar dhe vrarë disa persona atje.