Fotoja më sipër tregon pamjen, që me shumë gjasa, që do të ketë së shpejti rrethrrotullimi tek “Bexhisteni” në hyrje të qytetit. ShkodraWeb ka mundur të sigurojë një foto nga ky projekt i radhës, i cili synon të krijojë një vepër arti që uron mirëseardhjen për të gjithë.
Mësohet se instalimi i kësaj vepre arti por edhe transformimi i pritshëm i rrethrrotullimit, vjen si një projekt i përbashkët i Bashkisë së Shkodrës dhe Ministrisë së Kulturës, e cila vazhdon projektin realizmin e veprave të artit në hapësirat publike, siç janë rrethrrotullimet apo mbikalimet.
Punimet në rrethrrotullimin e “Bexhistenit”, sipas burimeve të ShkodraWeb, pritet të fillojnë shumë shpejt dhe kryeqendra e Veriut do të ketë një vepër arti më shumë që në hyrje të saj. Kjo vepër arti do të integrohet edhe në kuadër të projektit të madh të hyrjes së qytetit, bashkë me molon tek ura e vjetës e Bunës, punimet për të cilën vijojnë me intensitet. Projekti që pritet të ndryshojë rrënjësisht hyrjen e Shkodrës, mban firmën e arkitentit të mirënjohur Jesus Hernandez, raporton ShkodraWeb.
Sipas një vëzhgimi në faqen e tij në Facebook, vepra e artit është krijim i artistit Adred Mirashi Milot, i cili tashmë ka realizuar edhe vepra të tjera, siç është rrethrrotullimi i Hanit të Hotit në Malësi të Madhe, një emër i mirënjohur edhe jashtë kufijve të Shqipërisë me krijimet e tij “Çelësi i të sotmes”, vendosu edhe në Napoli të Italisë.